PARALELJA E NDARE FIZIKE NË MIRËZ
Më 3 shtator të vitit 1988 në fshatin Mirëz u bë hapja zyrtare e shkollës në këtë fshat të lashtë dhe të dëshmuar në luftrat për liri e pamvarësi. Godina e re shkollore me dy dhoma mësimi dhe një zyrë për arsimtaret në sipërfaqe prej afro 120 m - 2 katror ishte ndërtuar me vetëkontributin e banorëve të fshatit Mirëz. Trollin për ndërtimin e kësaj shkolle e kishte falur banori i këtij fshati Sefer Saramati (punëtor i dalluar shumëvjeçar arsimor në komunën e Prizrenit). Mesimi në këtë shkollë zhvillohej prej klasës së parë e gjerë në klasën e katërt dhe atë i tipit të kombinuar. Mësuesit e parë në këtë shkolle ishin : Zeqir Rakaj nga fshati Vërmicë dhe Besim Elezkurtaj nga fshati Zhur. Në vitin shkollor 1990 / 1991, me shtimin e numrit të nxënësve filluan nga puna edhe dy arsimtarë të tjerë në këtë shkollë : Ismen Ajazaj nga Zhuri dhe Bekim Berisha nga fshati Buçe i komunës së Sharrit. Punët dhe detyrat e punës të punëtorit teknik i kryente Sali Gutaj nga Mirëza. Më vonë si mësues në këtë shkollë, inkuadrohet edhe Naim Saramati dhe Selman Gutaj nga Mirëza të cilët punuan në vitet 1990 – 1992, në vitet kur edhe kjo shkollë shqipe, sikurse të gjitha shkollat tjera shqipe të Kosovës u përballën me dhunën dhe gjenocidin e egër serb.