SHKOLLA FILLORE
“HERONJËT E LUMËS” NË VËRMICË
Historiku i shkurtër i shkollës
Shkolla fillore në gjuhën shqipe në fshatin Vërmicë ka filluar punën më 15 mars të vitit 1948.
Mësues i parë në shkollën e Vërmicës ka qenë z. Ali Santuri nga Prizreni. Punëtor teknik ishte Rasim Surroi nga Vërmica. Shkolla ka filluar punën me 160 nxënës. Nxënësit kanë qenë nga fshatrat Vërmicë, Shkozë e Mirëz. Mësimi fillimisht është zhvilluar në shtëpi private. Pas një kohe relativisht te shkurtër është ndërtuar godina shkollore në brendi të fshatit, me dy dhoma mësimi, sallën e arsimtarëve dhe tri dhoma të tjera, të cilat kanë shërbyer për banimin e mësuesve. Nga viti shkollor 1947 / 1948 e gjerë në vitin shkollor 1951 / 1952 mësimi në këtë shkollë është zhvilluar nga klasa e parë e gjerë në klasën e katërt.
Në vitin e parë të punës së shkollës në Vërmicë (1947 / 1948) mësimi ështe zhvilluar me plane dhe programe mësimore të reduktuara me qëllim që nxënësve të këtij lokaliteti t’ju mundësohej mësimi i shkrim - leximit fillestar shqip dhe vazhdimi i shkollimit të mëtejshëm. Sikurse edhe në të gjitha viset tjera të Kosovës edhe në Vërmicë dhe lokalitet numri i banorëve, në veçanti i të rinjëve dhe të rejave, të cilët nuk dinin shkrim-lexim ishte i madh. Nxënësit të cilët i vijonin mësimet e rregullta në kuadër të shkollimit të rregullt fillor, ishin të moshës nga 7 vjeçar e gjerë në moshën 15 vjeçare. Ne vitin shkollor 1948 / 1949, mësimet në shkollën e Vërmicës i vijuan gjithsejt 160 nxënës, prej tyre 82 nxënës në klasën e parë dhe 78 nxënës në klasën e dytë.
Në vitin shkollor 1949 / 1950 mësimet në shkollën fillore të Vërmicës i vijuan gjithsejt 158 nxënës, prej tyre 35 nxënës në klasën e parë, 45 nxënës në klasën e dytë dhe 78 nxënës në klasën e tretë. Në vitin shkollor 1950 / 1951 mësimet në shkollën e Vërmicës i vijuan 193 nxënës, prej tyre në klasën e parë 45 nxënës, në klasën e dytë 33 nxënës, në klasën e tretë 53 nxënës dhe në klasën e katert 60 nxënës. Në përfundim të vitit shkollor 1950 / 1951, nga 60 nxënës sa vijuan mësimet, në klasën e katërt, sukses pozitiv arritën 44 nxënës, ndërsa 16 nxënës patën sukses të pamjaftueshëm.
Në vitin shkollor 1952 / 1953 fillon nga puna klasa e pestë, gjashtë dhe e shtatë e shkollës në Vermicë. Kjo gjendje ka vazhduar gjer në vitin shkollor 1969 / 1970. Gjer në vitin 1960 shkolla fillore në Vërmicë ka qenë shkollë në vete dhe funksiononte me emrin “ Shkolla Fillore e Vermices”. Me riorganizimin e rrjetit shkollor në vitin 1960, shkolla fillore e Vërmicës bëhet paralele e ndar fizike e shkollës së Zhurit. Kjo gjendje mbetet deri në vitin 1996, kur Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës me vendim përkatës, shkollen fillore të Vërmicës e pamvarsoi nga shkolla e Zhurit, si shkollë në vete. Shkolla e Vërmicës nga kjo ministri, por me pëlqimin paraprak të punëtorëve të shkollës dhe të banorëve të fshatrave : Vermicë, Shkozë dhe Mirëz, emërtohet me emrin : Shkolla fillore “ Heronjët e Lumës ”. Këtë emër ajo e mban edhe sot.
Në vitin shkollor 1967 / 1968 në Vërmicë ndërtohet godina e re shkollore e tipit montazh, në truallin e qytetarit të këtij fshati z. Bajram Kolukaj. Kjo godinë shkollore ka 8 dhoma mësimi, sallën e arsimtarëve dhe lokale të tjera për nevojat e shkollës. Për kohën i plotësonte në tërsi kushtet higjieno - teknike për zhvillimin normal të procesit mësimor. Në vitin shkollor 1970 / 71 në Vërmicë u lejua hapja e klasës së tetë të shkollës fillore dhe shkolla e Vërmicës u bë shkollë e plotë tetëvjeçare. Vendimin mbi lejimin e hapjes së klasës së tetë e muar themeluesi i shkollës, përkatësisht Kuvendi Komunal në Prizren. Në vitin shkollor 1970 / 1971 mësimet në klasën e tetë i vijuan 25 nxënës, në mesin e tyre tri ishin vajza. Edhe në periudhën më të vështirë për shkollën shqipe, në vitet 1990 - 1999, kur Serbia u versul mbi shkollën shqipe me egërsi të paparë, gjerë më tani, punëtoret e shkollës së bashku me nxënësit dhe banorët e Vërmicës u deshmuan me punë dhe solidaritet të madh dhe qëndruan të palëkundër drejtë realizimit të qëllimit fundamental, e që ishte liria e Kosovës. Punëtorët e kësaj shkolle punuan pa e ndërprer mësimin gjerë në mars të vitit 1999, kur dëbohen dhunshëm për në Shqipëri.
Gjatë kohës mars - qershor 1999, në objektin shkollor në Vërmicë, forcat serbe shkatrruan tërsisht objektin shkollor duke vjedhur, demoluar tërë inventarin shkollor dhe mjetet mësimore. Dëmi i shkaktuar në këtë objekt shkollor është me dhjetra mijra euro.